Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot vendimin për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Seanca për shpalljen e aktgjykimit do të nisë në orën 10:00 sipas kohës lokale në Hagë dhe pritet të zgjasë rreth dy orë.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka zgjatur rreth gjashtë vjet. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar vazhdimisht, duke u deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të transmetohet me një vonesë prej dhjetë minutash nga salla e gjyqit. Vendimi i sotëm shënon një nga momentet kryesore të këtij procesi të gjatë gjyqësor, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe më gjerë.
Në fazën përfundimtare të procesit, Prokuroria Speciale kërkoi që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës. Prokuroria kërkoi gjithashtu nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre.
Mbrojtja e katër ish-drejtuesve të UÇK-së i ka kundërshtuar akuzat dhe kërkesat e Prokurorisë, duke argumentuar se ato nuk janë të bazuara. Vendimi i Dhomave të Specializuara do të përcaktojë tashmë qëndrimin e gjykatës ndaj akuzave të ngritura ndaj katër të akuzuarve.











