Gazetarët investigativë zbulojnë mënyrën se si grupet kriminale shqiptare rekrutojnë shpërndarës, organizojnë shitjen e kokainës dhe ndërtojnë rrjete ndërkombëtare, nga Amerika e Jugut deri në qytetet britanike.
Një takim në dukje i zakonshëm në një kafene në Exeter të Britanisë së Madhe rezultoi në një nga momentet më të rëndësishme të një hetimi investigativ të Sky News mbi aktivitetin e grupeve të organizuara kriminale shqiptare në tregtinë e kokainës.
Një i ri shqiptar, i identifikuar me emrin Leo, po zhvillonte një intervistë pune me një person që kishte shprehur interes për t’u bërë shpërndarës droge. Në tavolinat përreth, klientët vazhdonin të konsumonin kafenë, pa e ditur se vetëm pak metra larg tyre po negociohej për shitjen e kokainës në rrugët e qytetit.
Leo i ofroi kandidatit një vendqëndrim, një listë çmimesh dhe mundësinë për të nisur punën menjëherë. Madje, e nxiti të fillonte shpërndarjen që në mesditë. Por ai nuk e dinte se personi përballë tij ishte një gazetar i infiltruat i Sky News, i cili po regjistronte fshehurazi bisedën.
Rekrutimi përmes TikTok-ut
Për gati një vit, një grup gazetarësh investigativë të Sky News ndoqën mënyrën se si rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin në tregtinë e kokainës në Britani.
Hetimi përfshiu qytete si Exeter, Wigan, Derbyshire dhe Royal Tunbridge Wells, si dhe udhëtime në Spanjë dhe Shqipëri. Gazetarët intervistuan ish-anëtarë të grupeve kriminale, policë të infiltruar dhe hetues që merren me luftën kundër këtyre organizatave.
Për të kuptuar nga afër mënyrën e funksionimit të rrjeteve, gazetarët nisën kërkimet në TikTok, ku identifikuan dhjetëra njoftime në gjuhën shqipe për vende pune me pagesa të larta, shpesh të shoqëruara me oferta për karburant dhe akomodim.
Njoftimet nuk specifikonin se çfarë pune do të kryhej, ndërsa në disa prej tyre shfaqej simboli i një fjolle bore, i përdorur në komunikimet online si referencë për kokainën.
Me ndihmën e një personi që fliste shqip dhe identiteti i të cilit u mbajt i fshehtë, gazetarët krijuan një histori të rreme për gazetarin e infiltruar, i cili paraqitej si një person që kishte punuar më parë në shpërndarjen e drogës për shqiptarët, por ishte larguar nga aktiviteti dhe tashmë kishte nevojë për para.
Gjatë takimit në Exeter, Leo kërkoi t’i shihte patentën e drejtimit gazetarit, gjë që mund të zbulonte identitetin e tij të vërtetë. Gazetari arriti ta shmangte kërkesën duke pretenduar se e kishte lënë portofolin në makinë.
Më pas, shqiptari foli hapur për çmimet e kokainës, uljet për klientët që blinin disa doza dhe mënyrën e organizimit të shpërndarjes. Kur u pyet nëse policia përbënte problem, ai u përgjigj se nuk ishte shqetësim.
David McKelvey, ish-oficer policie që ka ndihmuar në zhvillimin e operacioneve të infiltrimit kundër grupeve shqiptare, u shpreh i habitur nga pamjet. Sipas tij, nëse policia do të kishte regjistruar një bisedë të tillë, do të kishte ndërhyrë menjëherë.
Nga shpërndarësit te kontrolli i tregut të kokainës
Sipas hetimit, grupet kriminale shqiptare janë shndërruar në disa prej aktorëve më të fuqishëm në tregtinë e kokainës në Britani.
Për dekada, këtë treg e dominonin grupet kriminale britanike, por organizatat shqiptare arritën të krijonin lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut, duke shmangur ndërmjetësit europianë.
Kjo u mundësoi të siguronin kokainë me pastërti më të lartë dhe me kosto më të ulët, duke rritur fitimet.
Frank Stewart, përgjegjës për luftën kundër këtyre organizatave në Agjencinë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), deklaroi se grupet kriminale shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend.
Ndërkohë, Kathryn Westmore, drejtuese e sektorit të krimit financiar në UK Finance, theksoi se këto organizata synojnë të kontrollojnë të gjithë procesin, nga furnizimi deri te shpërndarja, për të maksimizuar fitimet.
Hetimi evidentoi gjithashtu se këto grupe kanë krijuar një reputacion të frikshëm për dhunën. Sipas ish-oficerit McKelvey, kundërshtimi i tyre mund të sjellë pasoja të rënda, përfshirë rrëmbime, tortura dhe vrasje.
280 paund në ditë për shitjen e kokainës
Pas Exeter, gazetarët identifikuan një tjetër njoftim në TikTok, këtë herë për një vend pune në Wigan.
Takimi u zhvillua në një makinë të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë. Personi që drejtonte aktivitetin i ofroi gazetarit 280 paund në ditë, në para cash, për të shpërndarë kokainë.
Edhe në këtë rast, biseda përfshinte çmimet e drogës, uljet për blerjet në sasi dhe mënyrën e funksionimit të rrjetit.
Sipas hetimit, organizatat përdorin të ashtuquajturit telefona të shitjes, përmes të cilëve klientët porosisin drogë. Drejtuesit e rrjetit marrin adresat e porosive dhe ua kalojnë shpërndarësve në nivelet më të ulëta, të cilët kryejnë dorëzimin dhe mbledhin paratë.
Këta telefona kanë një vlerë të konsiderueshme, pasi përmbajnë kontakte të krijuara me klientët. Në disa raste, ato tregtohen si biznese më vete.
Gazetarët zbuluan një njoftim në TikTok ku një telefon i tillë ofrohej për shitje për 300 mijë paund.
Rrjetet kriminale dhe trafiku i emigrantëve
Një tjetër zbulim i hetimit lidhet me dyshimet për lidhjet mes trafikut të drogës dhe kontrabandimit të emigrantëve.
Në TikTok u identifikua një njoftim në gjuhën shqipe, ku ofrohej transporti i personave që kishin probleme me policinë në Britani drejt Europës, përmes kamionëve.
Një gazetar i infiltruar kontaktoi personin që kishte publikuar njoftimin dhe iu ofrua mundësia për të nxjerrë dikë nga Britania përmes një kamioni, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.
Sipas NCA-së, ekzistojnë lidhje të ngushta mes disa grupeve shqiptare të trafikut të drogës dhe rrjeteve të emigracionit të paligjshëm. Disa prej këtyre organizatave dyshohet se janë të përfshira edhe në sjelljen e personave në Britani në mënyrë të paligjshme.
Në kuadër të hetimit, gazetarët intervistuan edhe një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone në vitin 2022 dhe më pas kishte punuar në tregtinë e drogës.
Ai tregoi në kushte anonimiteti se familjarët i kishin financuar udhëtimin me kushtin që të punonte për shpërndarësit shqiptarë të drogës.
Sipas dëshmisë së tij, ai ishte larguar nga hoteli ku ishte vendosur si emigrant dhe kishte përfunduar duke punuar në një fermë kanabisi në Manchester. Ai pretendoi gjithashtu se shumica e personave që udhëtonin me të kishin pasur synime të ngjashme.
“Jo të gjithë shqiptarët janë të përfshirë në krim”
Gazetarët e Sky News theksojnë se shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar.
Megjithatë, hetimi nxjerr në pah përmasat e aktivitetit të disa grupeve kriminale, të cilat kanë ndërtuar një rrjet ndërkombëtar fitimprurës dhe të vështirë për t’u goditur.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, Britania është konsumatori më i madh i kokainës në Europë, ndërsa konsumi i kësaj droge është rritur me më shumë se 25% gjatë pesë viteve të fundit.
Në përfundim të investigimit, Kathryn Westmore paralajmëroi se tregtia e drogës nuk është një krim pa viktima, pasi pas çdo transaksioni fshihen histori shfrytëzimi, dhune dhe përfshirjeje të personave vulnerabël.
“Ka një histori të tërë pas një transaksioni të vetëm, që të çon te njerëz të shfrytëzuar, persona vulnerabël dhe dhuna. Kjo prek jetën e të gjithëve”, u shpreh ajo.











