Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë papritur në moshën 66-vjeçare. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Ministria e Jashtme ruse, e cila njoftoi se diplomati ndërroi jetë më 11 nëntor. Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, tha më vonë se Darchiev kishte vdekur në Moskë, si pasojë e një sëmundjeje kronike, pa dhënë detaje të tjera.
Në deklaratën zyrtare, ministria e përshkroi atë si një diplomat të shquar, drejtues me përvojë dhe ekspert të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Darchiev ishte emëruar ambasador në Uashington në mars të vitit 2025, pas largimit nga detyra të paraardhësit të tij, Anatoly Antonov.
Përpara emërimit në SHBA, Darchiev kishte drejtuar departamentet e Amerikës së Veriut dhe Atlantikut të Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse, si dhe kishte shërbyer si ambasador në Kanada. Në shkurt të vitit 2025, ai kryesoi delegacionin rus në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Stamboll. Ministria nuk ka bërë ende të ditur datën e ceremonisë përkujtimore dhe të funeralit.











