Egnatia e ka nisur me barazim aventurën historike në fazën e grupeve të Conference League, duke ndarë pikët me Midtjylland pas rezultatit 1-1 në “Elbasan Arena”.
Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje të luftuar ndaj skuadrës daneze dhe arritën të kalonin të parët në avantazh, por miqtë reaguan brenda pak minutash.
Sfida u zhvillua në Elbasan pasi, për shkak të situatës së krijuar nga protestat, takimi u zhvendos nga Tirana vetëm ditën e ndeshjes.
Midtjylland krijoi rrezikun e parë që në minutën e katërt, por Dajsinani ndërhyri ndaj Rajoviç. Egnatia reagoi menjëherë dhe në minutën e 26-të gjeti golin e avantazhit.
Pas një harkimi nga krahu i djathtë, Gruda u shfaq në shtyllën e dytë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1-0, duke ndezur festën në “Elbasan Arena”.
Avantazhi zgjati vetëm gjashtë minuta. Në të 32-ën, Ço u gjend i lirë në zonë pas një harkimi nga e djathta dhe mposhti Dajsinanin me kokë për 1-1.
Danezët e gjetën sërish rrjetën në minutën e 39-të me Çon, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, Midtjylland rriti presionin, ndërsa Egnatia vazhdoi të kërkonte mundësitë e saj. Haime pati një rast të mirë në minutën e 63-të, por nuk arriti ta drejtonte topin drejt portës.
Në fundin e takimit, miqtë iu afruan golit të fitores. Uhre dërgoi topin në rrjetë në minutën e 81-të, por goli u anulua për faull ndaj Dajsinanit, ndërsa pak më vonë Iheanaço goditi shtyllën në një aksion që gjithashtu u ndal për pozicion jashtë loje.
Egnatia rezistoi deri në fund dhe siguroi një pikë në debutimin e saj historik në këtë fazë të Conference League, duke treguar se mund të konkurrojë edhe ndaj kundërshtarëve me më shumë eksperiencë europiane.











