BBC Global Woman i ka kushtuar një artikull protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, duke i paraqitur ato si një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të muajve të fundit.
Në artikull thuhet se protestat, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, kanë nisur si reagim ndaj projektit të një resorti luksoz pranë një ekosistemi të mbrojtur, ku jetojnë flamingo, foka dhe breshka deti. Sipas medias, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës që nga fundi i muajit maj, duke kërkuar anulimin e projektit.
BBC veçon edhe mbështetjen publike të këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Gjatë podcastit të saj me shkrimtaren dhe akademiken Lea Ypi, në një episod të publikuar më 14 korrik, artistja u shpreh se e konsideron frymëzuese angazhimin e qytetarëve.
“E gjej shumë frymëzuese ta shoh sa shumë u intereson njerëzve, e dini, ditë pas dite ata po dalin në rrugë”, tha Dua Lipa gjatë bisedës.
Artikulli sjell edhe dëshminë e studentit 23-vjeçar Asllan Llani Dogjani, i cili e krahasoi rëndësinë e Zvërnecit për Shqipërinë me atë që përfaqëson Kanioni i Madh për Shtetet e Bashkuara.
“Nëse do të isha në Shtetet e Bashkuara dhe ata do të ndërtonin një resort me pesë yje në Kanionin e Madh, do të mërzitesha shumë sepse është një thesar kombëtar. Kështu është edhe Zvërneci këtu për Shqipërinë”, deklaroi ai për Reuters.
Sipas BBC-së, projekti turistik me vlerë rreth 1.4 miliardë euro lidhet me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, dhe Ivanka Trump. Partneri i biznesit të Kushner, Asher Abehsera, i tha BBC-së se zhvillimi synon administrimin e përgjegjshëm të zonës, përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për komunitetin lokal.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke deklaruar se nuk ka “asnjë shans” që ai të ndalet gjatë mandatit të tij. BBC thekson gjithashtu se kishte kontaktuar Organizatën Trump për një koment, por nuk kishte marrë përgjigje.











