Operacioni i koduar “Cross Border” përfundoi me sukses pas një hetimi disa javor nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, duke evidentuar aktivitete të jashtligjshme në fushën e narkotikëve. Ky operacion u realizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll.
Gjatë operacionit, policia ndaloi një automjet në fshatin Vishocicë, dhe në bagazhin e tij u gjet një çantë sportive me 15 pako të mbushura me substancë të dyshuar narkotike, e cila kishte një peshë totale prej 16 kg kanabis sativa.
Shtetasi J. B., 46 vjeç, banues në Korçë, u arrestua në flagrancë, ndërsa bashkëpunëtori i tij, D. M., 37 vjeç, shpallet në kërkim. Policia po punon për kapjen e tij dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë hetimeve është evidentuar se J. B. dhe D. M. ishin duke planifikuar të trafikonin sasinë e drogës drejt Greqisë.
Në përfundim të operacionit, policia sekuestroi 16 kg kanabis, automjetin e përdorur për transportin dhe një celular. Materialet procedurale do të kalojnë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për hetime dhe veprime të mëtejshme.









