Organizatori kryesor i firmave piramidale online XUEX, është vënë në pranga nga policia në zonën e Divjakës. Qindra qytetarë nga Divjaka, Lushnja e zonat përreth ranë pre e mashtrimit duke investuar nga 1,000 deri në 5,000 dollarë, me premtimin për fitime të përjetshme. Siç njofton policia, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E.SH., si organizatori kryesor për zonën e Divjakës.
Njoftimi i policisë
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit njofton se, në vijim të operacionit “XUEX”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Fier dhe me mbështetjen e ngushtë të Prokurorisë së Fierit, është finalizuar ndalimi i personit të dyshuar si organizatori kryesor për zonën e Divjakës, shtetasi E. Sh., 35 vjeç.
Ky operacion tregon vendosmërinë e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit për goditjen e aktiviteteve mashtruese online, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe të sigurisë publike.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e platformave mashtruese, si dhe të jenë të kujdesshëm me të dhënat e tyre personale dhe bankare, në faqe apo aplikacione të pasigurta.
Çdo rast i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, si edhe pranë seksioneve përkatëse në çdo DVP.