Një ndjekje spektakolare policore është zhvilluar mesditën e sotme në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, duke përfunduar në rrugën “Andon Zako Çajupi” në zonën e Bllokut.
Policia kishte dyshime se në një automjet luksoz tip “Audi Q8” ndodhej një person i armatosur. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka kryer manovra për t’i shpëtuar efektivëve, duke shkaktuar panik tek qytetarët. Gjatë ndjekjes janë dëmtuar edhe katër automjete.
Pasi është neutralizuar situata, policia ka bërë të mundur arrestimin e një personi dhe ka sekuestruar një armë zjarri. Paraprakisht, sipas gazetares së Top Channel Dorjana Bezat, i arrestuari, identiteti i të cilit nuk dihet ende ka lidhje me Aleksandër Sadikajn, i vrarë në autostradën Elbasan-Tiranë.
Hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe identitetin e personit të ndaluar.