Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Naim Murseli dhe Granit Plava do të vuajnë burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg.
Në vendimin e publikuar më 23 nëntor 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë, mbrojtjes së familjes së viktimës dhe avokatëve të të akuzuarve, duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 6 korrik 2026.
Sipas Apelit, shkalla e parë ka vlerësuar drejt provat dhe rrethanat e ngjarjes, ndërsa nuk janë konstatuar shkelje të procedurës penale apo të ligjit.
Si rrethana rënduese për caktimin e dënimeve janë marrë parasysh planifikimi i vrasjes, mënyra e kryerjes së saj në praninë e dy fëmijëve të viktimës, mosha e re e Liridona Ademajt dhe fakti se ajo ishte e pambrojtur.
Ndërkohë, për Kokallën, gjykata ka arsyetuar se dënimi prej 30 vitesh është në përputhje me ligjin, pasi ai është shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Sipas dispozitave ligjore, ndihmësit i shqiptohet një dënim më i butë se kryerësit të veprës penale.
Pjesa e vendimit që lidhej me akuzën për moslajmërimin e veprës penale ndaj Kokallës ka mbetur e pandryshuar, pasi Prokuroria ishte tërhequr nga kjo akuzë gjatë gjykimit në shkallën e parë.











