Kosova është mposhtur 3-0 nga Irlanda në “Aviva Stadium”, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Sfida mori një kthesë të fortë që në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi ndërhyri me dorë në vijën e portës për të ndalur një gol të sigurt. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Irlanda fitoi penallti.
Troy Parrott u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe kaloi vendasit në avantazh në minutën e 28-të.
Kosova u detyrua të vazhdonte pjesën tjetër të takimit me dhjetë lojtarë dhe situata u bë edhe më e vështirë pas pushimit. Në minutën e 50-të, Irlanda fitoi një tjetër penallti dhe Parrott realizoi sërish, duke çuar rezultatin në 2-0.
“Dardanët” tentuan të qëndronin në lojë, por inferioriteti numerik ndikoi ndjeshëm. Në minutën e 75-të, Jack Moylan shënoi edhe golin e tretë dhe vulosi fitoren 3-0 të Irlandës.
Me këtë rezultat, Kosova e mbyll Grupin 3 të Ligës B në vendin e tretë me 6 pikë. Austria përfundoi e para me 12 pikë dhe siguroi promovimin direkt, ndërsa Irlanda u rendit e dyta me 8 pikë dhe vazhdon në “play-off”.
Kosova la pas Izraelin, por nuk arriti të siguronte një mundësi për ngjitjen në nivelin më të lartë dhe do të vazhdojë të garojë në Ligën B edhe në edicionin e ardhshëm.











