Virgil van Dijk mund të bëhet një nga emrat më të mëdhenj të merkatos së verës, ndërsa Milan po monitoron situatën e kapitenit të Liverpoolit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë kanë prej kohësh interes për mbrojtësin holandez, kontrata e të cilit me Liverpoolin po i afrohet fundit.
Drejtuesit e Milanit vlerësojnë eksperiencën, lidershipin dhe cilësitë teknike të Van Dijk, por një lëvizje në “San Siro” do të konsiderohej vetëm nëse ai largohet si lojtar i lirë.
Vetë 35-vjeçari nuk ka dhënë ende garanci për të ardhmen.
“Do të shohim çfarë sjell sezoni. Kam kaluar një periudhë fantastike këtu. Nëse vazhdon, mirë. Nëse jo, do të shkoj diku tjetër”, deklaroi ai së fundmi.
Milan nuk është i vetmi klub që ndjek situatën. Interes ka edhe nga Arabia Saudite dhe Turqia, ku përmenden Fenerbahçe dhe Galatasaray.
Nëse Van Dijk preferon të vazhdojë të luajë në nivelet më të larta të futbollit europian, Milan mund të bëhet një destinacion tërheqës, veçanërisht nëse siguron kualifikimin në Champions League.
Ndërkohë, Liverpool po mendon gjithnjë e më shumë për të ardhmen e repartit defensiv, me klubin që kërkon të shmangë kontrata të gjata dhe të kushtueshme për lojtarët në fundin e karrierës.











