Spanja dhe Anglia kanë marrë fitore të rëndësishme në Nations League, duke mbërritur në përballjen direkte në “Metropolitano” me moralin lart dhe objektiva të mëdha.
“La Roja” triumfoi 2-0 në Pragë ndaj Çekisë, në një ndeshje më të vështirë nga sa sugjeron rezultati.
Spanja kontrolloi lojën, por iu desh një penallti në minutën e 39-të për të zhbllokuar sfidën. Alex Baena mori përsipër ekzekutimin dhe kaloi kampionët e botës në avantazh.
Në pjesën e dytë, Çekia rrezikoi disa herë nga goditjet standarde, ndërsa një gol i Yeremy Pinos u anulua për pozicion jashtë loje.
Gjithçka u bë më e thjeshtë për Spanjën pas minutës së 70-të, kur Krejci u ndëshkua me karton të kuq. Në fund, Pubill realizoi golin e dytë dhe vulosi fitoren 2-0.
Me këtë rezultat, Spanja vazhdon serinë e jashtëzakonshme prej 44 ndeshjesh zyrtare pa humbje dhe ruan kreun e grupit.
Në Wembley, ndërkohë, ishte nata e Harry Kane.
Kapiteni i Anglisë festoi paraqitjen e 126-të me Kombëtaren, rekordin absolut për “Tre Luanët”, si dhe triumfin me Topin e Artë.
Anglia kaloi në avantazh me Morgan Rogers, por Kroacia reagoi dhe barazoi me Sucic.
Në momentin më të rëndësishëm, Kane u shfaq sërish. Sulmuesi realizoi nga pika e bardhë dhe i dha Anglisë fitoren 2-1, duke shënuar golin e tij të 93-të me Kombëtaren.
Me këtë sukses, skuadra e Thomas Tuchel siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Nations League.
Tani gjithçka është gati për përballjen e madhe mes Spanjës dhe Anglisë në Madrid, një duel që do të përcaktojë kreun e grupit dhe që pritet të jetë një nga sfidat më të forta të kësaj faze.











