Julian Shehu dhe Etrit Berisha dolën këtë të hënë në konferencë për shtyp, në prag të dy ndeshjeve të fundit të Shqipërisë në Nations League ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Të dy futbollistët kuqezi u shfaqën optimistë për gjendjen e skuadrës dhe theksuan se objektivi mbetet ruajtja e vendit të parë në grup.
Shehu vlerësoi lojën më ofensive dhe agresive të Kombëtares, duke theksuar se rezultatet e fundit tregojnë se skuadra po zbaton mirë kërkesat e trajnerit.
“Objektivi ynë është të qëndrojmë në vendin e parë në grup dhe besoj se deri në fund do t’ia dalim”, deklaroi mesfushori.
Ai shtoi se fakti që sfida ndaj Finlandës luhet në shtëpi do të jetë një avantazh i rëndësishëm, sidomos falë mbështetjes së tifozëve.
Nga ana tjetër, Etrit Berisha kërkoi përqendrim maksimal dhe refuzoi ta quante sfidën ndaj Finlandës një “revansh”.
“Çdo ndeshje ka historinë e vet. Objektivi ynë është ta fitojmë dhe të vazhdojmë përpara duke ruajtur vendin e parë”, u shpreh portieri kuqezi.
Berisha theksoi se Shqipëria ka lojtarë me cilësi dhe eksperiencë, por paralajmëroi se Finlanda nuk duhet nënvlerësuar.
“Ne kemi lojtarë më cilësorë, por nuk duhet në asnjë mënyrë ta nënvlerësojmë Finlandën. E kemi marrë mësimin nga ndeshjet e fundit.”
Portieri foli edhe për gabimin që solli kartonin e kuq në ndeshjen e mëparshme, duke insistuar se skuadra nuk duhet të ndryshojë filozofinë e lojës vetëm për shkak të një episodi.
Shqipëria hyn kështu në dy sfidat e fundit të Nations League me synimin e qartë për të marrë maksimumin e pikëve dhe për ta mbyllur grupin në vendin e parë.











