Situata te Napoli po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Përtej rezultateve negative, brenda skuadrës kanë nisur të dalin në pah edhe probleme në marrëdhëniet mes lojtarëve, ndërsa deklaratat e Matteo Politano pas ndeshjes kanë shtuar edhe më shumë dyshimet për një përçarje në dhomat e zhveshjes.
Në mungesë të kapitenit Di Lorenzo, Politano doli sërish përpara mediave, por këtë herë me një mesazh të fortë për shokët e skuadrës.
“Do të doja që ndonjëherë të vinte edhe ndonjë shok tjetër skuadre për të shpjeguar gjërat, jo gjithmonë ne italianët…”, deklaroi ai.
Fjalët e tij janë interpretuar si një mesazh për disa nga futbollistët e huaj me peshë në skuadër. Sipas raportimit, mes emrave që mund të ketë pasur në mendje Politano janë Anguissa dhe Rrahmani, dy prej lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe rëndësi në grup.
Tensioni është rritur edhe nga seria e rezultateve negative. McTominay dhe Hojlund kërkuan që të gjithë të marrin përgjegjësi, ndërsa danezi deklaroi se “të gjithë duhet të shohim veten në pasqyrë”.
Një tjetër episod që tregon klimën e rënduar ishte përplasja mes Lucca dhe De Bruyne, me sulmuesin që pati një debat të ashpër me belgun.
Brenda dhomave të zhveshjes ekzistojnë prej kohësh grupe të ndryshme. Di Lorenzo, Politano dhe Spinazzola kanë një marrëdhënie të afërt edhe jashtë fushës, ndërsa lojtarë të tjerë janë lidhur më shumë mes tyre.
Lang dhe Neres konsiderohen një dyshe shumë e afërt, ashtu si Alisson dhe Giovane, ndërsa McTominay dhe Gilmour kanë krijuar gjithashtu një raport të fortë.
Anguissa, nga ana tjetër, përshkruhet si një person më i rezervuar. Ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me Osimhen dhe Juan Jesus, por pas largimit të tyre duket më i izoluar, ndërsa edhe situata kontraktuale nuk e ndihmon qetësinë e tij.
De Bruyne, Lobotka dhe Hojlund mbeten figura të rëndësishme në fushë, por secili prej tyre ka një karakter më të mbyllur jashtë saj.
Klubi ka vendosur që skuadra të futet në grumbullim duke nisur nga mbrëmja e së nesërmes, me synimin për të rikthyer unitetin dhe për të ulur tensionet.
Napoli ndodhet në një moment delikat: rezultatet nuk po vijnë, nervozizmi po rritet dhe tani përgjegjësia bie mbi klubin dhe lojtarët për të gjetur një mënyrë për ta bashkuar sërish grupin.










