Përhapja e inteligjencës artificiale po i detyron mësuesit në Shtetet e Bashkuara të rishikojnë mënyrën se si japin detyrat dhe vlerësojnë nxënësit. Në vend të eseve që përgatiten në shtëpi, gjithnjë e më shumë shkolla po përdorin shkrimin në klasë, diskutimet dhe provimet me gojë, për të kuptuar nëse nxënësit e kanë përvetësuar realisht materialin apo janë mbështetur te chatbot-et. Sipas një raportimi të Reuters, ndryshimet po ndodhin ndërsa përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në arsim.
Disa mësues kanë reduktuar detyrat e shtëpisë dhe u kushtojnë më shumë kohë ushtrimeve gjatë orës së mësimit. Të tjerë po rikthejnë fletoret dhe shkrimin me dorë, duke kufizuar përdorimin e kompjuterëve. Një mësuese e gjuhës angleze në Nju Jork, për shembull, ka krijuar detyra praktike ku nxënësit duhet të demonstrojnë drejtpërdrejt se si e kanë kuptuar një vepër letrare.
Megjithatë, jo të gjithë edukatorët e shohin inteligjencën artificiale si kërcënim. Disa e përdorin për të përshtatur dokumentet historike sipas nivelit të nxënësve, për të përgatitur materiale mësimore dhe për të ndihmuar në nisjen e projekteve kërkimore. Sfida kryesore, sipas ekspertëve, është të gjendet një ekuilibër mes përfitimeve të teknologjisë dhe zhvillimit të të menduarit kritik, në mënyrë që nxënësit të mësojnë të përdorin inteligjencën artificiale pa u varur plotësisht prej saj.











