Cristian Chivu ka dalë në mbrojtje të Interit përpara sfidës së Champions League ndaj Shakhtar Donetsk, duke kërkuar që dy humbjet e fundit të mos shndërrohen në dramë.
Zikaltrit vijnë nga një periudhë e vështirë dhe në Europë kanë regjistruar shtatë humbje në tetë paraqitjet e fundit. Për këtë arsye, ndeshja ndaj Shakhtarit merr një rëndësi të madhe për ecurinë e tyre në Champions League.
“Ky kompeticion është një ëndërr për të gjithë ne. Pas dy humbjeve, duhet të ecim hap pas hapi dhe të mendojmë fillimisht të marrim pikët e para”, deklaroi Chivu.
Trajneri rumun kundërshtoi presionin e madh që, sipas tij, vendoset vazhdimisht mbi Interin.
“Interi ka qenë nën presion prej vitesh dhe kjo është meritë e skuadrës për atë që ka ndërtuar në Itali dhe Europë. Por nëse një ndeshje shkon keq, nuk mund të bëhet tragjedi kombëtare. Duket sikur vetëm Interi ka detyrimin të fitojë dhe skuadrat e tjera jo. Nuk më duket e drejtë.”
Chivu mori përsipër edhe përgjegjësinë për problemet e fundit të skuadrës, pa drejtuar gishtin nga lojtarët.
“Puna ime është të marr përgjegjësi. Para së gjithash duhet të përmirësohem unë. Nëse nuk arrij t’ua përcjell lojtarëve atë që dua në aspektin e përqendrimit, do të thotë se kam gabuar. Duhet të punoj më shumë.”
Ai foli edhe për shpërthimin e tij në pushimin e ndeshjes ndaj Bolognas, ku ishte zemëruar aq shumë sa kishte humbur zërin.
“Zemërohem me ta njësoj si në shtëpi, sepse për lojtarët kam një dashuri të ngjashme me atë që kam për familjen time. Janë si fëmijët e mi. Qesh me ta, bëj shaka dhe zemërohem.”
Në konferencë foli edhe Alessandro Bastoni, i cili kërkoi më shumë realizëm kur diskutohet për objektivat europianë të Interit.
“Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Fitimi i Champions League nuk mund të konsiderohet një objektiv i detyrueshëm, nuk ishte i tillë as kur arritëm në dy finale. Tani duhet të mendojmë të fitojmë këtë ndeshje shumë të rëndësishme.”
Sipas Bastonit, problemet e Interit në Europë nuk lidhen me një çështje taktike, por kryesisht me gabimet individuale që kundërshtarët e nivelit të Champions League i ndëshkojnë më ashpër.










