José Mourinho ka lënë pas tonet e qeta të javëve të para dhe është rikthyer në versionin e tij më luftarak. Pas vetëm dhjetë ndeshjesh në stolin e Real Madridit, portugezi ka drejtuar kritika të forta ndaj arbitrave, mediave, LaLiga-s dhe tashmë edhe Komisionit Disiplinor.
Shkak këtë herë është bërë momenti kur Vinicius mësoi për pezullimin me katër ndeshje, vetëm pak orë para sfidës së Champions League në Romë.
“A ju duket normale që një lojtar i një skuadre spanjolle, para një ndeshjeje të rëndësishme edhe për futbollin spanjoll, të mësojë dy orë para takimit se është pezulluar për katër ndeshje?”, deklaroi Mourinho.
Ai vijoi edhe më ashpër:
“Në portugalisht kemi një shprehje: macja fshihet, por bishti i duket. Tani më duket se macja as nuk fshihet më. Gjërat po bëhen pa pikë turpi. Doni ta vrisni një lojtar psikologjikisht dy orë para ndeshjes.”
Mourinho u ndal edhe te kalendari i LaLiga-s. Real Madridi do të luajë në Athinë të mërkurën dhe më pas do të udhëtojë drejt Valencias për të luajtur të shtunën, me vetëm rreth 72 orë pushim.
“Minimalisht është mungesë respekti. Të luash të mërkurën në Athinë, të mbërrish në Madrid në pesë të mëngjesit dhe më pas të luash në Valencia të shtunën, para një pushimi ndërkombëtar, nuk më duket aspak e pafajshme.”
Portugezi hodhi poshtë edhe justifikimin se oraret përcaktohen nga televizionet.
“Kam 25 vite në futboll. Nuk i besoj më këto justifikime se ‘e vendosi televizioni’. Jam shumë i vjetër për t’i gëlltitur këto.”
Kritikat e Mourinhos nuk janë ndalur vetëm këtu. Gjatë javëve të fundit ai ka sulmuar mënyrën e arbitrimit, sistemin VAR, disa vendime të RFEF-së dhe mënyrën si media ka trajtuar lojtarë si Mbappé dhe Vinicius.
“Real Madridistët nuk janë budallenj. Do të bëj gjithçka që të hap sytë e njerëzve”, deklaroi ai pas ndeshjes në Romë.
Pas vetëm pak javësh në sezon, lista e personave dhe institucioneve që kanë marrë kritika nga Mourinho është zgjeruar ndjeshëm. Dhe këtë herë, në shënjestër kanë përfunduar qartë LaLiga dhe Komisioni Disiplinor.










