Pothuajse një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka ndarë një mesazh emocionues përmes rrjeteve sociale. Duke publikuar disa fotografi të Shpatit me djalin e tyre, Roelin, Selvija ka folur për mungesën e tij dhe për mënyrën se si ajo vazhdon të ndihet në përditshmërinë e tyre. “Nuk ka ditë që të mos pyes veten si do të ndihej Shpati po ta shihte Roelin sot. Sa krenar do të ishte për çdo fjalë, hap e arritje të tij”, shkruan ajo.

Selvija tregon se Roeli po rritet pa të atin, por mungesa e Shpatit është e pranishme çdo ditë. Sipas saj, djali ende e kërkon babain dhe ajo dëshiron që kujtimi i tij të jetë gjithmonë pjesë e jetës së të birit. Ajo shprehet se do t’i tregojë Roelit për të atin dhe do të kujdeset që lidhja e tyre emocionale të mbetet e gjallë përmes kujtimeve.
“Dua të besoj se, sa herë Roeli buzëqesh, Shpati buzëqesh bashkë me të… diku atje lart. Dashuria për të nuk do të zbehet kurrë”, përfundon Selvija dedikimin e saj. Fjalët e saj kanë prekur ndjekësit, ndërsa fotografitë e Shpatit me të birin kanë sjellë sërish në vëmendje kujtimin e këngëtarit dhe lidhjen e veçantë që ai kishte me familjen e tij.











