Arbjan Mazniku mbrojti në Kuvend Reformën e re Territoriale që shkrin 15 bashki, duke argumentuar se bashkimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.
Sipas tij, reforma e vitit 2014 ishte e suksesshme, pasi forcoi bashkitë, por këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
“Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t’u shkojë rruga, uji… Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t’u pastrohet dhe t’u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik”, tha Mazniku.
“A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Po, ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: “duam mbrapsht komunat”. As propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit. Por, kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara”, shtoi Mazniku.











