2 tetor 2026 – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti sot në Tiranë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt.
Në një postim në rrjetet sociale, Nufi i uroi mirëseardhjen ambasadorit amerikan dhe theksoi rëndësinë e partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“SHBA-të janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri”, shkroi Nufi.
Sipas tij, Shqipëria i sjell këtij partneriteti pozicionin e saj gjeografik, besueshmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim.
Ministri përmendi edhe disa prej projekteve dhe kapaciteteve që, sipas tij, kontribuojnë në forcimin e sigurisë në rajon. Mes tyre janë Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore e Kuçovës dhe kapacitetet shqiptare për Mbështetjen e Vendit Pritës.
Nufi u ndal edhe te angazhimet e Shqipërisë në misionet dhe nismat ndërkombëtare të sigurisë.
Ai përmendi mbështetjen për Ukrainën, praninë shqiptare në KFOR dhe pjesëmarrjen në iniciativa shumëkombëshe. Në këtë kuadër, ai theksoi edhe vendimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
“Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, u shpreh Nufi.
Në fund të postimit, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-të.
“Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen”, shkroi Nufi.











