Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Nations League, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”. Kuqezinjtë kontrolluan pjesën më të madhe të takimit dhe siguruan tre pikët falë golave të Kristjan Asllanit dhe Ernest Muçit.
Skuadra e drejtuar nga Maran e nisi ndeshjen me presing të lartë, por Bjellorusia arriti të krijonte rrezik në minutat e para. Etrit Berisha u tregua i vëmendshëm në një nga rastet e miqve, ndërsa Shqipëria gradualisht mori më shumë kontroll mbi lojën.
Avantazhi erdhi në minutën e 34-t. Pas një ndërhyrjeje ndaj Berat Gjimshitit brenda zonës, arbitri akordoi penallti, vendim që u konfirmua edhe nga VAR-i. Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe u tregua i saktë për 1-0.
Pak para pushimit, Shqipëria goditi sërish. Elseid Hysaj ndërtoi një aksion të bukur nga krahu dhe shërbeu Ernest Muçin, i cili finalizoi me qetësi për 2-0 në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
Kuqezinjtë nuk u tërhoqën as pas pushimit dhe patën disa mundësi për ta thelluar rezultatin. Seferi humbi një rast të mirë, ndërsa Rey Manaj iu afrua shumë golit të tretë kur goditja e tij me kokë përfundoi në shtyllë. Edhe Muçi, Hoxha, Pilo dhe Asllani provuan në vijim, por pa e ndryshuar më rezultatin.
Maran ndërhyri edhe nga stoli, duke aktivizuar Uzunin, Dakun dhe Mehmetin, ndërsa Shqipëria vazhdoi ta menaxhonte pa shumë probleme avantazhin deri në fund.
Fitorja 2-0 i jep Shqipërisë një nisje pozitive në Nations League dhe njëkohësisht i dhuron Maran suksesin e parë në një ndeshje zyrtare në krye të Kombëtares. Kuqezinjtë ngjiten në krye të grupit së bashku me Finlandën, e cila fitoi 7-0 ndaj San Marinos.











