Paraqitja e Paraguajit ndaj Francës në Kupën e Botës ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit. Edhe pse Franca arriti të fitonte dhe të kualifikohej në çerekfinale, mënyra se si luajti skuadra e Gustavo Alfaros është kritikuar gjerësisht.
Futbollistët francezë u ankuan për ndërhyrje të ashpra, provokime dhe lojë shumë fizike nga kundërshtari. Bradley Barcola, pas ndeshjes, u shpreh se nuk kishte luajtur kurrë një takim me kaq shumë goditje nga pas dhe shtyrje.
Zlatan Ibrahimovic vlerësoi qetësinë e Francës, duke thënë se lojtarët nuk ranë në provokimet e Paraguajit.
“Franca ruajti qetësinë. Duhej të shmangnin provokimet dhe ia dolën. Gjëja më e mirë që mund të bësh kur provokohesh është të buzëqeshësh dhe të mos biesh në grackë”, u shpreh Ibrahimovic.
Shumë më i ashpër ishte ish-portieri anglez Joe Hart, i cili e quajti paraqitjen e Paraguajit të turpshme.
“Kjo skuadër e Paraguajit ka qenë një turp absolut. Nëse shokët e mi do të luanin kështu, do t’i nxirrja vetë nga fusha. Nuk do të doja kurrë të fitoja një ndeshje duke luajtur në këtë mënyrë”, deklaroi Hart.
Edhe ish-kampioni i botës me Francën, Frank Leboeuf, reagoi ashpër, duke thënë se Paraguaji tregoi gjithçka që ai nuk pëlqen te futbolli. Samuel Umtiti, nga ana tjetër, theksoi se është shumë e bezdisshme të përballesh me skuadra që luajnë në këtë mënyrë.
Kritika pati edhe për arbitrin, me disa figura franceze që pretenduan se Paraguaji kreu shumë faulle pa marrë ndëshkimet e duhura. Rayan Cherki u shpreh se nuk e dinte që një skuadër mund të bënte “30 faulle pa marrë karton të verdhë”.
Megjithatë, jo të gjithë ishin kundër Paraguajit. Marcelo Gallardo doli në mbrojtje të stilit amerikano-jugor të lojës, duke thënë se europianët shpesh nuk janë mësuar me duelet fizike.
“Nuk ka agresion. Në futbollin tonë, nëse nuk je gati për përplasje dhe luftë fizike, nuk mund të luash. Europianëve nuk u pëlqen dinakëria e amerikano-jugorëve”, u shpreh Gallardo.
Pavarësisht debatit, Franca arriti të kalojë më tej, ndërsa Paraguaji largohet nga turneu me kokën lart për luftën në fushë, por edhe me shumë polemika për mënyrën se si u përball me një nga favoritët kryesorë të Botërorit.











