Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin drejt Turqisë të 32-vjeçares Julide Yazici, e arrestuar në Shqipëri nën dyshimin për lidhje me një organizatë terroriste. Dy muaj më parë, Gjykata e Apelit la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasen turke, e cila rezultonte e shpallur në kërkim nga autoritetet turke.
Yazici akuzohet nga drejtësia turke për dhënie ndihme logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste. Për këto vepra, ajo është dënuar në mungesë me katër vite burgim, ndërkohë i kanë mbetur për të vuajtur edhe tre vite, pesë muaj e 22 ditë.
Shtetasja turke, me profesion mësuese, u arrestua në aeroportin e Rinasit, teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë verifikimeve në pikën kufitare, autoritetet konstatuan se ajo ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, për llogari të shtetit turk.
Sipas raportimeve, Yazici ka përfituar azil politik në Francë. Ajo dyshohet se ka qenë e përfshirë në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve të kryera në një banesë në Stamboll janë gjetur prova që lidhen me hetimin ndaj saj.
Gjatë seancave gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimeve të saj kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se, në rast ekstradimi drejt Turqisë, i rrezikohet jeta. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e saj, të cilët kanë kundërshtuar ekstradimin.











