Cristiano Ronaldo vazhdon të dominojë edhe jashtë fushës. Ylli i Al Nassr është futbollisti më i paguar në botë për të katërtin sezon radhazi, sipas renditjes së publikuar nga revista “Forbes”.
41-vjeçari kryeson listën me të ardhura të vlerësuara në 267.3 milionë euro, më shumë se dyfishi i Lionel Messit, i cili renditet në vendin e dytë.
Ronaldo përfiton rreth 222 milionë euro nga Al Nassr, ndërsa afro 44 milionë të tjera vijnë nga sponsorizimet dhe marrëveshjet komerciale.
Portugezi është gjithashtu sportisti i parë ende aktiv që ka kaluar kufirin e 2 miliardë dollarëve në të ardhura bruto gjatë karrierës.
Lionel Messi renditet i dyti me rreth 129 milionë euro. Prej tyre, 62.4 milionë vijnë nga Inter Miami, ndërsa 66.8 milionë nga sponsorizimet dhe aktivitetet e tjera komerciale.
Në vendin e tretë është Kylian Mbappé, me të ardhura të vlerësuara në 100 milionë dollarë.
Në dhjetëshen e futbollistëve më të paguar përfshihen gjithashtu Erling Haaland, Vinicius, Lamine Yamal, Sadio Mané, Jude Bellingham, Harry Kane dhe Mohamed Salah.
Cristiano dhe Messi vazhdojnë kështu të ruajnë pozitat në majën financiare të futbollit botëror, duke qenë në dy vendet e para për herë të 12-të në 13 vitet e fundit.











