Një aksident i rëndë, ku kanë mbetur tre persona të plagosur, ka ndodhur mesditën e kësaj të premte në aksin rrugor Maliq–Korçë.
Ngjarja ka ndodhur në degëzimin e fshatit Vloçisht dhe dyshohet se shkak është bërë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i një mjeti që po udhëtonte nga Maliqi në drejtim të Korçës.
Si pasojë e këtij manovrimi, mjeti është përplasur me një automjet tjetër që lëvizte nga Korça drejt Maliqit.
Në mjetin që udhëtonte drejt Maliqit ndodhej një çift bashkëshortësh, të cilët kanë mbetur të plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. I plagosur rëndë ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Të tre të plagosurit janë transportuar në spitalin e Korçës dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për shkaqet e aksidentit, ndërsa janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë nga disa biznese pranë vendit ku ndodhi përplasja.











