Teksa të premten nis edicioni i tretë i “Ferma VIP” dhe një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni është pa dyshim dyshja e re e opinionisteve: Einxhel Shkira dhe Armina Mevlani. Publiku tashmë po pret me padurim të shohë se si do të funksionojnë së bashku në studio, duke marrë parasysh historikun e tyre jo gjithmonë të qetë.
Raporti mes tyre ka pasur momente të tensionuara që nga koha kur Einxhel ishte një nga figurat kryesore të “Big Brother VIP Albania 1”. Në një dalje publike asokohe Armina kishte deklaruar hapur se nuk e mbështeste lojën e moderatores, duke treguar favor për një tjetër konkurrent.
“Këtë Einxhel po e heq se nuk më pëlqen fare. Për mua e fiton Iliri për artistin që është dhe kontributin e tij. Ai është shumë i suksesshëm, ia ka nisur nga zero dhe ka arritur të bëjë emër në një vend të huaj”, thoshte Armina dikur gjatë moderimit të Goca dhe Gra në kohën kur opinionistja tjetër, Einxhel Shkira ndante finalen në Big Brother me Ilir Shaqirin.
Pas përfundimit të Big Brother-it, Einxhel u ftua vetë në të njëjtin emision, por mungesa e Arminës në panel nuk i shpëtoi vëmendjes së saj. Me një ton ironik, ajo shprehu pakënaqësinë për situatën, duke lënë të kuptohej qartë reagimi i saj ndaj komenteve të mëparshme.
Armina, nga ana tjetër, sqaroi se gjithçka ishte thjesht një opinion personal si shikues dhe se nuk kishte asnjë inat të fshehur ndaj Einxhelit. Ajo theksoi se mes tyre nuk ka pasur kurrë një miqësi të veçantë, por gjithashtu nuk ka pasur asnjë konflikt personal.
Tani, të dyja vajzat e njohura të ekranit do të ulen krah njëra-tjetrës si opinioniste në “Ferma VIP 3”. Publiku mbetet kurioz të shohë se si do të ndërveprojnë me njëra-tjetrën, duke pasur parasysh tensionet e së kaluarës. Një gjë është e sigurt: të premtet në televizion sapo kanë marrë një tjetër dimension!/mxh










