Një 40-vjeçar është arrestuar nga Policia në Maliq, pasi dyshohet se qëllonte me armë zjarri në ajër, duke terrorizuar banorët e zonës dhe duke rrezikuar jetën e tyre.
Sipas Policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas njoftimit se në fshatin Orman një shtetas po qëllonte me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Falë reagimit të shpejtë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman.
40-vjeçari rezulton person me precedentë penalë, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
Në vendngjarje Policia sekuestroi një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe fara kanabisi si dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Ai ndodhej bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ky i fundit qëllonte me armë zjarri.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi grek kishte shkuar në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.











