Pas denoncimit për zhdukjen e tij një ditë më parë, është gjetur i pajetë i moshuari nga fshati Gjormë i Kurbinit.
Ramazan Mera, 91 vjeç, i cili ishte larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit dhe nuk ishte kthyer më, është gjetur mëngjesin e kësaj të mërkure pa shenja jete. Trupi i tij u zbulua rreth orës 06:00 brenda një kanali me ujë në zonën e fshatit Gjormë.
Familjarët kishin njoftuar policinë dhe kishin kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për gjetjen e të moshuarit, i cili ishte larguar nga shtëpia mes orës 02:00 dhe 05:00, ndërsa të gjithë po flinin.
Sipas dyshimeve paraprake, 91-vjeçari mund të ketë rënë aksidentalisht në kanal, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.











