Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Storm 15”, duke goditur veprimtarinë kriminale në fushën e prostitucionit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet.
Pas një hetimi dy-javor me metoda speciale, në flagrancë u arrestuan shtetaset braziliane N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, të dyshuara për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, prostitucion dhe përshtatje të ambienteve për prostitucion.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për prostitucion një shtetas 22-vjeç dhe pronari i ambienteve, F. T., 30 vjeç, për përshtatjen e ambienteve për aktivitet prostitucioni.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, para, 8 aparate celularë, një DVR, karta telefonike, blloqe shënimesh dhe dy sasi të vogla lëndë narkotike të dyshuara kanabis.
Policia zbuloi se shtetaset kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, lagjja nr. 17, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit. Njëra prej tyre refuzoi të hapte derën gjatë ndërhyrjes, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.










