Superylli i futbollit Cristiano Ronaldo ishte një nga të ftuarit specialë në darkën zyrtare me kravata të zeza në Shtëpinë e Bardhë, ku mori pjesë edhe princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Presidenti amerikan Donald Trump, para eventit, e quajti “nder të madh” praninë e Ronaldos, i cili është bërë një nga figurat kryesore të projektit të modernizimit të Arabisë Saudite përmes sportit dhe turizmit. Bin Salman synon të reduktojë varësinë e vendit nga të ardhurat e naftës, duke investuar masivisht në aktivitete ndërkombëtare.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi pjesëmarrjen e Ronaldos, por nuk specifikoi nëse ai ishte pjesë e delegacionit zyrtar saudit. Ndërkohë, kritikët vazhdojnë ta akuzojnë Arabinë Saudite për “sportswashing”, duke përdorur sportin për të pastruar imazhin ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij, Trump vlerësoi lidhjet SHBA–Arabia Saudite, duke e quajtur vendin “aleat të madh jo-anëtar të NATO-s”. Ai iu drejtua edhe CR7-s, duke thënë:
“Djali im është fan i madh i Ronaldos. Dhe Baroni e takoi sot – tani më respekton edhe pak më shumë.”
Darkës iu bashkua edhe miliarderi Elon Musk, në një nga vizitat e tij të para në Shtëpinë e Bardhë pas largimit nga posti i tij në administratën Trump. Marrëdhënia mes Musk dhe Trump ka qenë e tensionuar muajt e fundit.
Për Ronaldon, kjo ishte një nga vizitat e rralla në SHBA që prej vitit 2016. Ai ka qenë në qendër të vëmendjes ndër vite, si për sukseset e tij në futboll, ashtu edhe për padinë e diskutuar për sulm seksual në Las Vegas – e cila u mbyll në 2019 pa akuza.
Që nga kalimi i tij në Al Nassr në vitin 2023, Ronaldo është bërë simboli kryesor i futbollit saudit, me një pagë të jashtëzakonshme prej 200 milionë dollarësh në vit, ndërsa kontrata e tij e re dyvjeçare kap vlerën e 400 milionë dollarëve. Sipas Bloomberg, ai është bërë futbollisti i parë miliarder, me pasuri mbi 1.4 miliardë dollarë.
Së fundmi, Ronaldo është shfaqur edhe në aktivitete zyrtare të Ministrisë së Turizmit në Rijad, ku ka promovuar ambiciet e Arabisë Saudite për të pritur Kupën e Botës 2034 — duke e quajtur bin Salman “shefin tonë”.











