Zjarri që përfshiu prej ditës së djeshme 4 fshatrat e Tiranës, Priskë e Madhe, Gurrë e Vogël, Daias dhe një pjesë të Lundrës ka shkaktuar dëme të mëdha në kurorën e gjelbër të këtyre zonave.
Raportohet se flakët kanë shkrumbuar qindra rrënjë ullinj dhe pemë frutore, ndërsa në Priskë të Madhe janë djegur edhe tre banesa të vjetra të pabanuara.
Në Gurrë të Vogël, rreth 10 banesa u evakuuan pasi flakët u afruan pranë tyre.
Në orët e para të mëngjesit nisi ndërhyrja nga ajri me helikopter, i cili merrte ujë nga liqeni i Farkës dhe e hidhte mbi vatrat e zjarrit.
Aktualisht situata është vënë nën kontroll, por vatrat vijojnë të monitorohen nga zjarrfikësit dhe emergjencat civile.
Banorët kanë nisur të kontrollojnë dëmet në pronat e tyre, ku janë evidentuar sipërfaqe të konsiderueshme ullishtesh dhe pemësh të djegura.
Situata ishte e vështirë gjatë natës për shkak të terrenit kodrinor dhe pamundësisë për ndërhyrje nga ajri.
Në një moment, flakët rrezikuan edhe zjarrfikësit që po ndërhynin në Daias, të cilët u detyruan të tërhiqeshin me shpejtësi. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.











