Një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në vendin e punës në Valtopina të Italisë.
Rogert Ajdini, banues në Trevi, ishte duke punuar në asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur dyshohet se u shtyp nga rulit asfaltues që drejtonte.
Sipas mediave italiane, mjeti i rëndë dyshohet se është përmbysur për arsye që ende nuk janë bërë të qarta. Kolegët e 20-vjeçarit kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra kanë rezultuar fatale.
Në vendngjarje mbërritën ambulanca, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit, por ekipet nuk arritën ta shpëtonin të riun.
Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përmbysjen e mjetit të rëndë.
Punimet në rrugën Santa Cristina ishin ndërmarrë nga Bashkia e Valtopinës në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, ka shprehur ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen e tij si një tragjedi të rëndë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e aksidentit fatal në vendin e punës.











