Zjarri që u regjistrua mbrëmjen e së enjtes në malin e Dukatit vijon të jetë aktiv edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa flakët janë përhapur drejt malit të Çikës.
Era e fortë dhe terreni i vështirë malor kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke zgjeruar sipërfaqen e përfshirë nga flakët.
Ndërhyrja po vijon si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme.
Pavarësisht përmasave të zjarrit, për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, pasi flakët ndodhen larg banesave.
Situata vijon të monitorohet nga strukturat e emergjencave civile, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura.











