Të martën, më 16 dhjetor, kompania automobilistike gjermane Volkswagen pezulloi prodhimin në një nga fabrikat e saj në Gjermani, për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1937. Shkaku kryesor është rënia e vazhdueshme e shitjeve, një krizë që pasqyron vështirësitë serioze të gjithë sektorit evropian të automobilave, i cili po përballet me tranzicionin e vështirë drejt makinave elektrike, konkurrencën agresive kineze dhe tarifat doganore të vendosura nga Donald Trump.
Fabrika që ndali prodhimin është ajo e Dresdenit, në Gjermaninë lindore, e inauguruar në vitin 2001 dhe e njohur si “Fabrika transparente” për strukturën e saj prej xhami. Ajo ishte ndërtuar si simbol i rilindjes industriale pas ribashkimit të Gjermanisë. Pikërisht aty nisi prodhimi i modelit luksoz Volkswagen Phaeton, i cili nuk pati sukses dhe u ndërpre në vitin 2016.
Në vitet e fundit, impianti i Dresdenit ishte fokusuar vetëm në prodhimin e automjeteve plotësisht elektrike dhe ishte i pari në Gjermani që i prodhoi ato. Më 2017 filloi prodhimi i Golf-it elektrik dhe më pas i modeleve ID. Automjeti i fundit që do të dalë nga fabrika është një ID.3 GTX e kuqe, e cila do të firmoset nga punëtorët dhe do të mbetet e ekspozuar.
Volkswagen ka vendosur që fabrika të rikonvertohet në një qendër kërkimi, në bashkëpunim me qeverinë e Saksonisë dhe universitetet lokale, ku do të zhvillohen teknologji për inteligjencën artificiale, robotikën dhe çipet. Për 230 punonjësit e mbetur pa punë janë ofruar kompensime financiare, pensione të parakohshme ose transferime në fabrika të tjera.
Sipas drejtorit ekzekutiv Thomas Schäfer, vendimi ishte i vështirë, por “ekonomikisht i domosdoshëm”.
Kriza e Volkswagen lidhet me reagimin e ngadaltë ndaj ndryshimeve të tregut, tranzicionin problematik drejt makinave elektrike dhe rënien e shitjeve në Kinë, që përbën rreth 40% të tregut të saj. Atje, prodhuesit vendas ofrojnë makina elektrike më të lira dhe më konkurruese. Situata është përkeqësuar edhe nga kriza ekonomike kineze dhe nga tarifat amerikane, të cilat i kanë shkaktuar kompanisë humbje miliardëshe.

Vështirësitë e Volkswagen janë të përbashkëta me shumicën e prodhuesve evropianë të makinave, përfshirë Stellantis. Kriza e kompanisë gjermane është bërë simbol i rënies së industrisë automobilistike evropiane dhe e dobësimit të ekonomisë gjermane, me pasoja të mëdha për mbi 700 mijë punonjës dhe mijëra kompani të zinxhirit të furnizimit.









