Një ngjarje tragjike është regjistruar mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në fshatin Hotolisht, ku një 42-vjeçar ka humbur jetën pasi një gur u shkëput nga mali dhe ra mbi automjetin me të cilin po udhëtonte.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 22:30 dyshohet se një gur është shkëputur nga mali dhe ka goditur automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Si pasojë e goditjes, 42-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të rastit.











