Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar ish zv kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku zgjatjen e hetimeve ndaj saj deri në muajin Janar të vitit të ardhshëm.
Kujtojmë që ish vartësja e Ramës është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë, si dhe është vënë nën hetim për të njëjtën vepër penale edhe për procedura të tjera tenderuese. Po ashtu, ajo po hetohet edhe për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
SPAK i sekuestroi dy vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit Igli Tare.
Vila e parë u zbulua në Dhërmi, me një vlerë prej 145 mijë eurosh, dhe u sekuestrua në qershor. SPAK dyshon se Balluku e ka përfituar vilën si ryshfet për një tender në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”, me fond limit 88.6 milionë lekë dhe një shtesë kontrate prej 14.1 milionë lekësh në kohën që kur ajo drejtonte “Albcontrol”.
Sipas organit të akuzës, për të fshehur pronësinë reale të vilës, Balluku ka përdorur Igli Taren dhe vartësen e saj në kohën kur drejtonte Albcontrol, shtetasen J.B, përmes kontratave të porosisë dhe qirasë të konsideruara fiktive nga hetuesit.
Ndërsa vila e dytë, në Palasë, iu sekuestrua në shtator. Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se e përfitoi vilën në Palasë në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 23.5 milionë euro.
Sipas hetimit, investimi në vilë u krye nga pronari i kompanisë fituese, Arbër Abazi, me një vlerë që SPAK e përllogarit nga 288,616 deri në 410,526 euro. Fillimisht, për ndërtimin e saj deri në fazën e karabinasë dyshohet se është përdorur Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje prej 250 mijë eurosh.
SPAK pretendon se Balluku e ka fshehur pronësinë reale duke e regjistruar vilën në emër të Igli Tares. Për këtë qëllim, sipas prokurorisë, është përdorur edhe një kontratë e dyshuar si fiktive shitjeje, e datës 12 shtator 2025.











