Granit Xhaka dhe Breel Embolo do të lejohen të rikthehen në kombëtaren e Zvicrës gjatë grumbullimit të muajit nëntor, pas përfundimit të çështjes që lidhej me certifikata të falsifikuara të vaksinimit kundër Covid-19.
Kapiteni i Zvicrës kishte munguar në ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Skocisë, Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë gjatë muajit tetor, pasi pranoi se kishte siguruar një certifikatë të rreme që i kishte mundësuar të udhëtonte dhe të luante në vitin 2022.
Për të njëjtën arsye, edhe Breel Embolo ishte lënë jashtë skuadrës kombëtare në muajin shtator.
Federata Zvicerane e Futbollit konfirmoi se Xhaka dhe Embolo do të jenë sërish të disponueshëm për trajnerin Murat Yakin për ndeshjet e nëntorit ndaj Sllovenisë dhe Skocisë.
Drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami, shpjegoi se vendimi është marrë pasi janë analizuar rrethanat e të dy rasteve, procedurat ligjore të përfunduara dhe masat sportive që tashmë ishin zbatuar.
“Jemi të bindur se rikthimi i tyre në kombëtare në nëntor është një vendim i përgjegjshëm dhe i drejtë”, deklaroi Tami.
Xhaka dhe Embolo u gjobitën me nga 150 mijë franga zvicerane, ndërsa dënimi është pezulluar për dy vite me kusht që të mos kryejnë shkelje të tjera.
Xhaka ka marrë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe nuk i është hequr shiriti i kapitenit. Megjithatë, Federata Zvicerane ka sqaruar se vendimi përfundimtar për kapitenin mbetet në duart e Murat Yakin, i cili do të publikojë listën e lojtarëve më 5 nëntor.
Zvicra kryeson Grupin E përpara dy ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve, ndaj Sllovenisë më 13 nëntor dhe Skocisë më 16 nëntor.











