Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kontrabandonin makineta të lojërave të fatit dhe i modifikonin ato me programe ilegale, për t’ua shitur më pas personave të përfshirë në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “Interceptimi” u finalizua pas një hetimi pesëmujor, të zhvilluar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Në pranga ranë shtetasit A. S., 53 vjeç, dhe S. K., 67 vjeç. Sipas hetimeve, A. S. kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku në bashkëpunim me S. K. dyshohet se kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje.
Makineta modifikoheshin përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, sipas kërkesave të personave dhe subjekteve të interesuara për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 25 makineta të lojërave të fatit, 4 telefona celularë, 2 laptopë dhe 1 njësi kompjuterike.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











