15 tetor 2026 – Parlamenti mblidhet sot për seancën e radhës parlamentare në mesin e një kaosi që ka përfshirë kryeqytetin në dy ditët e fundit. Studentë e jo vetëm janë ngritur në protestë kundër qeverisë aktuale.
Tubimet kanë qenë të dhunshme. Ministri, ajo e Ekonomisë, e Arsimit, Gjykata Kushtetuese, Banka e Shqipërisë, banka e biznese private, janë djegur e shkatërruar. Të paprekura kanë mbetur godina e Parlamentit dhe kryeministria ndërsa dyert e Kryesisë së Kuvendit u shpërthyen mbrëmjen e djeshme.
Sot protesta do të vijojë sërish. Thirrja për grumbullim është për në orën 09:00, një orë përpara nisjes zyrtare të seancës plenare.
Rendi i ditës është mjaft i ngjeshur Përveç tre interpelancave të shtyra nga java e kaluar kur u votua dhe reforma territoriale, një tjetër është futur në rend dite. Është një kërkesë e depozituar nga deputetët e PD më 27 korrik, për të kërkuar shpjegime nga ministri i Brendshëm, që në atë kohë ishte Besfort Lamallari, për qasjen e forcave policore me protestuesit.
Gjithashtu përfshihen edhe 6 pr.ligje dhe një pr.vendim për ngritjen e komisionit të posaçëm për ‘Territorialen’ që do të ketë si funksion rishikimin e kompetencave të bashkive, në të cilin PD me gjasë do të refuzojë të marrë pjesë.
Protestat në ditët e zhvillimit të Parlamentit tashmë janë bërë të zakonshme. Por kësaj radhe situata paraqitet më serioze. Protestat e fundit nisën si një kryengritje studentore ndërsa tensioni e dhuna kanë përshkallëzuar frikshëm.



