Policia e Elbasanit ka arrestuar personin e dyshuar si autor të tentativës për vrasje të Mir Bitocit, ngjarje e ndodhur mesditën e kësaj të shtune në një lokal në Elbasan.
Sipas të dhënave paraprake, autori ndodhej brenda lokalit, ndërsa Bitoci po përgatitej të largohej. Pasi shënjestra doli jashtë, autori e ka ndjekur nga pas dhe i është afruar, duke i vendosur armën e zjarrit në pjesën e pasme të kokës.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentin e rëndë, ndërsa dyshohet se autori ka tentuar të qëllojë. Megjithatë, arma mendohet se është bllokuar në atë moment, duke i dhënë mundësi Bitocit të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pas ngjarjes, Policia ka nisur menjëherë veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili tashmë ndodhet në pranga.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit, motivit dhe rrethanave që çuan në ngjarje.
Mir Bitoci është një emër i njohur në Elbasan dhe, sipas të dhënave të publikuara ndër vite, është përmendur në episode të ndryshme gjatë periudhës së trazuar të viteve ’90. Në vitet e mëvonshme ai ka jetuar kryesisht jashtë vendit.











