E ardhmja e Julián Álvarez mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara të merkatos. Sulmuesi argjentinas preferon kalimin te Barcelona, por Atlético Madrid nuk ka ndërmend të negociojë me katalanasit.
Tensioni mes dy klubeve është rritur pas reagimeve të forta të Atlético ndaj zërave që e lidhin lojtarin me Barça. Klubi madrilen e ka bërë të qartë se Álvarez nuk është në shitje dhe se për momentin i referohet vetëm klauzolës së tij prej 500 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, Barcelona mbetet destinacioni që lojtari dëshiron, por rruga drejt një marrëveshjeje duket shumë e vështirë. Marrëdhëniet mes klubeve janë tensionuar, sidomos për shkak të asaj që Atlético e konsideron si presion dhe lajme të pavërteta rreth lojtarit.
Pas finales së Champions League, në skenë është rikthyer edhe PSG. Parizienët kanë mundësi financiare për një operacion të madh dhe marrëdhëniet me Atlético janë më të mira, por sipas raportimeve, vetë Álvarez nuk është plotësisht i bindur për këtë destinacion.
Edhe Arsenal është përmendur si alternativë, pasi kërkon përforcime në sulm, por rikthimi në Angli nuk duket se e tërheq shumë argjentinasin në këtë moment.
Kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt edhe te planet e merkatos së Atlético Madrid. Klubi duhet të përforcohet në disa reparte, por çdo lëvizje varet nga fakti nëse Álvarez do të qëndrojë apo nëse do të hapet mundësia për një shitje milionëshe.
Për momentin, saga duket larg fundit. Barcelona është dëshira e lojtarit, PSG ka fuqinë ekonomike, ndërsa Atlético vazhdon të mbajë një qëndrim të prerë.











