27 shtete anëtare të BE-së ende po diskutojnë gjendjen e reformave nga institucionet shqiptare përpara se të arrijnë një qëndrim të përbashkët për fillimin e mbylljes së kapitujve të parë në negociatat e anëtarësimit, pas hapjes së 33-ve në nëntor të vitit të kaluar, raporton dtt-net.com .
Por në takimin e sotëm të përfaqësuesve të tyre nga Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA), “tre shtete anëtare nuk mundën ende të jepnin dritën e gjelbër”, sipas burimeve të një shteti anëtar në Bruksel, lidhur me bisedimet që po vazhdojnë për Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (ang. IBAR) për Grupin 1 të kapitujve negociues, të quajtur ‘Bazat’ (ang. Fundamentals).
Grupi 1 përbëhet nga Kapitulli 5 (Prokurimi Publik); Kapitulli 18 (Statistikat); Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore); Kapitulli 24 (Drejtësia, liria dhe siguria) dhe Kapitulli 32 (Kontrolli Financiar).
Burimet nuk dhanë detaje të mëtejshme, mbi emrat e vendeve dhe mosmarrëveshjet e sakta mbi gjendjen aktuale të reformave në pesë kapituj negociues, por thanë se 27 përfaqësuesit e shteteve anëtare nga grupi COELA do të takohen përsëri të premten (22 maj) për bisedime të mëtejshme.
Një burim i dytë konfirmoi mosmarrëveshjet dhe mungesën e dritës së gjelbër nga krejt vendete anëtare të BE-së tash për tash.
“Jo, jo ende, COELA nuk ka rënë dakord ende në këtë fazë. Vetëm pas marrëveshjes, dosja shkon te ambasadorët…”, tha burimi i dytë, duke i referuar me fjalën ‘ambasadorët” grupit më të lartë të njohur si COREPER.
Pesë kapitujt negociues të Grupit 1 janë të lidhur me gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor të vendit, dhe diskutimet nga shtetet e BE-se po ndodhin në kohën kur tensionet e mëdha midis opozitës dhe qeverisë së Kryeministrit Edi Rama po vazhdojnë.
Përveç akuzave për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, përvetësim të fondeve shtetërore dhe mashtrim zgjedhor, opozita akuzon gjithashtu Ramën për mbrojtjen e të të akuzuarës nga prokuroria speciale kundër krimit të organizuar(shqip-SPAK) ish-Zëvendëskryeministres dhe ish- Ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, për shkelje të dyshuara në dy tendera në sektorin e ndërtimit dhe hetime në vazhdim e sipër për disa të tjerë.
Pas presionit të fortë nga opozita dhe kritikave nga organet e BE-së dhe disa anëtarëve të Parlamentit Europian (PE), Rama pranoi ta shkarkonte Ballukun nga detyra këtë vit, por kryeministri ende refuzon që të përmbushë kërkesën e prokurorisë speciale për të hequr imunitetin e saj parlamentar të nevojshëm për arrestimin e saj.
Shqipëria tashmë i ka hapur të gjitha kapitujt negociues për anëtarësim në BE që kur i hapi kapitujt e parë në tetor 2024 dhe qeveria e saj shpreson për anëtarësim në BE deri në vitin 2030











