Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e institucionit e cila pritet të hyjnë në fuqi në shtator ka nxitur reagime të forta kundërshtuse. Sipas kësaj rregulloreje të hartuar nën drejtimin e kryetarit në detyrë Erion Bani, janë disa kufizime të bëra për mediat dhe avokatët.
Më konkretisht kufizohet numri i pjesëmarrësve nga media, hiqet praktika e mëparshme e cila lejonte mediat të filmonin minutat e para të seancës gjyqësore, ndalohet filimi nëpër korridore, gazetarët duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim 24 orë para për të ndjekur një seancë gjyqësore dhe së fundi do të rishikohen të gjitha autorizimet dhe lejet ekzistuese të akreditimit vjetor.
Për me tej do të ndalohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit, si edhe do të ketë kufizim për avokatët në lidhje me përdorimin e mjeteve teknologjike.
Shoqatat e Gazetarëve e kanë dënuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së, ku Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e ka quajtur këtë rregullore kufizim të lirisë së medias, duke e cilësuar këtë “lëvizje” të Banit si një veprim të bërë pasi ai “i sheh gazetarët si një kërcënim për procesin gjyqësor”.
Në deklaratën e UGSH thuhet: “UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë”.
Më tej është ngritur edhe shqetësimi i marrjes së autorizimit 24 orë më parë, gjë të cilën Unioni e ka konsideruar një kthim të së drejtës të medias për të qenë e pranishme në një “leje administrative”.
Rregullorja e re ka hasur edhe kundërshtinë e avokatëve, ku kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, profesor doktor Maksim Haxhia, në një reagim për Report TV është shprehur se do u propozojë strukturave të Dhomës të Avokatisë bojkotimin e seancave në këtë gjykatë.
“Unë do të propozoj bojkot, sepse kjo situatë nuk mund të lejohet të vijojë më kështu. Ka mbetur vetëm që ta heqin fare avokatinë”, u shpreh ai ndër të tjera.
Një nga parashikimet më problematike të rregullores së re është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore, për gazetarët dhe avokatët. Haxhia e konsideroi të papranueshme një masë të tillë. “Telefoni është mjet pune, është një studio ligjore lëvizëse për një avokat”,u shpreh ai duke e cilësuar rregulloren pa baza ligjore.
Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e |Organizuar (GJKKO) ka publikuar vendimin nr 49, datë 17.07.2026 “ RREGULLORE E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së” dhe komentarin PËR RREGULLOREN E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së”. Janë dy dokumenta që përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.
Komentari shoqërues prej 532 faqesh në një kapitull të veçantë, mishëron disa kufizime që ngjallin shqetësime serioze, kur ballafaqohen me të drejtën për raportim dhe lirinë e medias. Kjo rregullore fikson procedura burokratike penguese për gazetarët, kufizime mbi numrin e gazetarëve dhe rregulla të reja për regjistrimet mediatike dhe praninë në mjediset e institucionit gjyqësor.
UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.
UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.
Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!
Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së secilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.
Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit.
Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.
Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.
UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.
UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.
Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO.











