Administrata amerikane i ka kërkuar Gjermanisë dhe Francës të përdorin një pjesë të rezervave të tyre emergjente të naftës, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Uashingtoni ka paralajmëruar se mund të kufizojë eksportet amerikane të naftës nëse vendet europiane nuk ndërhyjnë.
Gjermania dhe Franca zotërojnë së bashku më shumë se një të tretën e rezervave strategjike të naftës së Bashkimit Europian. Presioni amerikan vjen në një moment kur tregjet globale të karburanteve janë tronditur nga lufta me Iranin dhe ndërprerjet në furnizimet përmes Lindjes së Mesme.
Situata është reflektuar edhe në tregjet e naftës. Çmimi i naftës bruto u rrit me më shumë se 3 dollarë për fuçi të enjten, ndërsa Kina pezulloi eksportet e produkteve të naftës në destinacione jashtë Hong Kongut dhe Makaos. Ky vendim pritet të shtojë presionin mbi një treg tashmë të kufizuar.











