Presidenti i La Ligës ka kritikuar publikisht Real Madridin, duke e akuzuar klubin për qëndrime të dyfishta pas organizimit të një ndeshjeje të NFL në Madrid. Në një postim në X, ai u shpreh se për javë të tëra është promovuar ideja se kjo është “një ditë historike për sportin spanjoll”, me një vëmendje të madhe mediatike dhe faqe të para të dedikuara eventit.
Ai vuri në dukje se është ironike fakti që stadiumi që pret këtë ngjarje i përket pikërisht klubit që dikur kryesonte kundërshtimin ndaj ndeshjeve zyrtare të La Ligës në Miami, duke pretenduar se ato cenonin “integritetin e garës”. Sipas tij, Real Madridi ka ndryshuar qëndrim vetëm pasi është shpaguar për eventin, duke treguar një standard të dyfishtë.
Presidenti kujtoi se në atë kohë, drejtues të klubit dhe disa lojtarë mbanin të njëjtin qëndrim kritik, madje duke i dërguar letra institucioneve të ndryshme – deri edhe Papës – për të kundërshtuar zhvillimin e takimit në SHBA. Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Sport mbështeste “traditën”, ndërsa AFE publikonte informacion dhe deklarata për “transparencën”, edhe pse ishte e qartë se procedurat dhe rregullat do të respektoheshin.
Kjo situatë, sipas presidentit të La Ligës, nxjerr në pah tensionet e brendshme në futbollin spanjoll dhe tregon mënyrën se si interesat financiare shpesh mbizotërojnë ndaj parimeve të deklaruara të integritetit sportiv. Ai e përmbylli reagimin e tij duke theksuar se është e çuditshme se si një klub që dikur kritikonte ashpër organizimin e një ndeshjeje jashtë vendit, sot pret me krenari një event ndërkombëtar të ngjashëm në stadiumin e tij.











