Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut po kërkojnë sanksione ushtarake dhe ekonomike ndaj Myanmarit, pas vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konstaton se shteti kreu genocid ndaj pakicës Rohingya gjatë operacionit ushtarak të vitit 2017. Aktivistët e konsiderojnë vendimin një moment të rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare, por paralajmërojnë se pa masa konkrete, ai mund të mbetet vetëm një deklaratë juridike.
Amnesty International kërkon ndalimin e furnizimit me armë dhe pajisje ushtarake, ndërsa organizata Human Rights Watch u bëri thirrje qeverive të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve të Myanmarit për të zbatuar vendimin dhe për të garantuar kthimin e sigurt e vullnetar të refugjatëve. Rreth 1.2 milionë Rohingya jetojnë aktualisht në kampe të mbipopulluara në Bangladesh, pasi u larguan nga dhuna dhe persekutimi.
Megjithëse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë juridikisht të detyrueshme, institucioni nuk ka mekanizëm të drejtpërdrejtë për t’i zbatuar ato. Çështja mund të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina mund të bllokojnë sanksionet përmes vetos. Organizatat kërkojnë gjithashtu dëmshpërblim për viktimat, hetim të përgjegjësve dhe garantimin e të drejtave të Rohingya-ve, përfshirë shtetësinë dhe mundësinë për t’u kthyer në vendin e tyre.











