Pesë persona janë vënë nën hetim nga autoritetet italiane pas aksidentit që i mori jetën 64-vjeçarit shqiptar Hashim Mehmeti, teksa punonte në një kantier ndërtimi në autostradën A18. Ngjarja ndodhi më 17 nëntor, në segmentin mes Giardini Naxos dhe Taorminës.
Hetimi nuk përfshin vetëm drejtuesit e dy automjeteve të përfshira në përplasjen fatale, por edhe persona që kishin përgjegjësi për aktivitetin në kantierin ku punonte viktima. Mes tyre janë një 61-vjeçar nga Torrenova dhe dy persona nga provinca e Casertës, të lidhur me kompaninë që po kryente punimet.
Të identifikuarit si të dyshuar janë Tania Andreoli, Santino Trimarchi, Salvatore Giacobbe, Alfonso Capezzuto dhe Dino Della Valle. Ata po hetohen për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia në aksident rrugor, të kryer në bashkëpunim.
Nga rindërtimi paraprak i Policisë Rrugore, dyshohet se automjeti i drejtuar nga një 54-vjeçare nga Viagrande ka qenë duke kryer një parakalim, kur është përplasur me një tjetër makinë. Pas goditjes, makina ka dalë nga rruga dhe ka hyrë në zonën e kantierit, ku ka përplasur punëtorin shqiptar, duke i shkaktuar vdekjen.
Prokurori Fabrizio Monaco, që po drejton hetimet, ka kërkuar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar më tej rrethanat e vdekjes. Ekzaminimi mjeko-ligjor është caktuar të zhvillohet të martën e ardhshme në spitalin Piemonte.











