Real Madridi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Thibaut Courtois deri në vitin 2028.
Portieri belg kishte kontratë deri në fund të këtij sezoni, ndërsa marrëveshja e re e mban në “Santiago Bernabéu” edhe për një vit tjetër.
Courtois është 34 vjeç dhe me kontratën e re do të arrijë një dekadë të plotë si lojtar i Real Madridit, pasi iu bashkua klubit në verën e vitit 2018.
Belgu kishte shprehur më herët dëshirën për të vazhduar edhe disa vite në Madrid.
“Dua të luaj edhe katër ose pesë vite këtu”, kishte deklaruar Courtois gjatë verës.
Ky është rinovimi i tretë i rëndësishëm i Real Madridit brenda pak ditësh. Fillimisht klubi zgjati kontratën e Arda Güler deri në vitin 2032, më pas atë të Aurélien Tchouaménit deri në të njëjtin vit dhe tashmë ka siguruar edhe të ardhmen e Courtois.
Portieri belg ka zhvilluar 348 ndeshje zyrtare me Real Madridin dhe është portieri i tretë me më shumë paraqitje në historinë e klubit, pas Paco Buyos dhe Iker Casillas.
Gjatë periudhës së tij në Madrid, Courtois ka fituar 14 trofe, mes tyre dy Champions League, tre tituj të La Liga-s, një Copa del Rey, tre Botërorë për Klube, dy Superkupa të Europës dhe tre Superkupa të Spanjës.
Me kontratën e re, një nga objektivat personalë të belgut është edhe kalimi i shifrës së 400 paraqitjeve me fanellën e Real Madridit.
Sipas raportimeve, rinovimet e radhës që pritet të trajtohen nga klubi janë ato të Jude Bellingham dhe Federico Valverde.











