Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga Policia e Kavajës, pas informacionit të marrë në rrugë operative se një 47-vjeçar ishte nisur i armatosur drejt një hoteli në zonën e Malit të Robit, në Golem, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij 18-vjeçar.
Sipas Policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Stacionit të Policisë Golem ndërhynë menjëherë pas marrjes së informacionit dhe ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë.
Gjatë kontrollit të automjetit, në një çantë shpine u gjet një armë zjarri automatik, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë. Për këtë arsye, 47-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Ngjarja lidhet me një konflikt të ndodhur në një hotel në zonën e Malit të Robit.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasit F. H., A. F., E. D. dhe M. M. kanë dhunuar 18-vjeçarin G. N., i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit.
Sipas Policisë, konflikti ka nisur për shkak të mosdhënies së pagesës për punën e kryer. 18-vjeçari ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi në flagrancë F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç. Ndërkohë, A. F., 36 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa M. M., 36 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë hetimeve, policia ka konstatuar gjithashtu se vendi i ngjarjes ishte pastruar, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.
Policia njofton se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











