Mbrëmje me dy fytyra për Napoli dhe Juventus në Serie A. Skuadra napolitane u rikthye te fitorja duke mposhtur Monzën 4-1, ndërsa bardhezinjtë u rrëzuan 2-0 në transfertë ndaj Genoas.
Napoli kaloi në avantazh me Hojlund, i cili u rikthye te goli pas një periudhe të gjatë. Monza barazoi me Varelën, por në pjesën e dytë skuadra napolitane ndryshoi ritëm. Politano riktheu avantazhin, Marin realizoi të tretin dhe De Bruyne vulosi rezultatin 4-1.
Shqetësimi i madh për Napolin ishte dëmtimi i Lobotkës. Mesfushori u largua me barelë dhe në lot pas një problemi në kyçin e majtë, duke ngritur frikën për një dëmtim serioz.
Në ndeshjen tjetër, Juventus pësoi një goditje të rëndë në “Ferraris”. Genoa e Daniele De Rossit fitoi 2-0 falë golave të Ehizibue dhe Baldanzi, duke dominuar për nga intensiteti dhe organizimi.
Skuadra e Luciano Spallettit regjistroi humbjen e tretë të sezonit dhe mbeti në kuotën e 14 pikëve, tashmë 11 pikë larg kreut dhe gjashtë nga zona Champions.
Napoli dhe Juventus janë tashmë me pikë të barabarta, ndërsa përballja direkte mes tyre të dielën merr edhe më shumë rëndësi për vazhdimësinë e sezonit.











